FAQ

Çka është Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)?

Agjencia Kosovare e Privatizimit themelohet si një organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur, në bazë Ligjit të Kuvendit të Kosovës ligjit Nr. 04/L-034 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 05-/L-080 i plotësuar dhe ndryshuar me ligjin Nr. 04/L-115 për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës si dhe ndryshim plotësimin me ligjin Nr. 06/L-023.

 

Si mund të kem qasje në dokumente zyrtare? 

Ligji 06/L-081 garanton të drejtën e secilit person, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje në dokumente publike, të prodhuara, pranuara, mbajtura apo kontrolluara nga institucionet publike, si dhe të drejtën për ripërdorimin e dokumenteve të sektorit publik. Kërkesa mund te bëhet nga personi, me shkrim, në formë elektronike, ose verbalisht. Ju mund t’i drejtoheni Agjencisë përmes e-mail adresës së personit kontaktues; fitore.gagica@pak-ks.org duke dorëzuar kërkesën tuaj tek Zyrtari për Qasje ne Dokumente Publike. Agjencia do t’ju përgjigjet brenda afatit kohor të përcaktuar në ligjin në fjalë.

Formulari për parashtrimin e kërkesës për qasje në dokumente publike

 

Si mund të bëj një ankesë nëse kam një mosmarrëveshje me AKP-në?

Ju mund të paraqisni një ankesë formale pranë AKP-së sipas procedurave ligjore të përcaktuara. Informacionet mbi procedurat e ankesave mund të gjenden në faqen e AKP-së ose mund të kontaktoni drejtpërdrejt Agjencinë për sqarime.

 

Si mund të jem azhur mbi publikimet e AKP-së?

Për t’u njoftuar me publikimet e të gjitha shpalljeve të shitjeve të aseteve apo qiradhënieve në AKP ju mund të dërgoni një email në adresën marketing@pak-ks.org

 

 

A ka kufizime për blerjen e një aseti nga AKP?    
Po, ka disa kufizime ligjore. Detajet mbi këto kufizime janë të përcaktuara në Rregullat e Tenderit.

Si të di më shumë mbi listën e aseteve të ofruara për shitje?
AKP-ja lancon Shitjen e Aseteve në mënyrë periodike gjë për të cilën publikon njoftimet në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, televizionet kombëtare, mediat elektronike si dhe dërgon e-mail dhe sms njoftues palëve të interesit si dhe tërë investitorëve potencial të regjistruar në databazën e saj. Lista e aseteve të ofruara për shitje publikohet në faqen zyrtare të AKP-së. 

Si të paraqes ofertën për një aset të ofruar për shitje?    
Procesi i ofertimit udhëhiqet nga Rregullat e Tenderit dhe Procedurat e Shitjes, të cilat i gjeni në wefaqen e AKP-së

Çfarë informatash duhet të kërkoj nga AKP-ja?
Duhet të kërkoni dosjen e tenderit për asetin për të cilin jeni të interesuar të ofertoni, e cila do t’ju vihet në dispozicion pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi ruajtjen e sekretit afarist. Ju do të pranoni Memorandumin e Informatave, dokumentet pronësore, dokumentet ligjore dhe informatat tjera përkatëse. 

Nëse nuk jam brenda Kosovës, si mund të kem qasje mbi dokumentet për asetet e tenderuara?
Për të pasur qasje në dokumentet e aseteve të tenderuara, ju mund të kontaktoni zyrën e marketingut përmes email adresës: marketing@pak-ks.org

Si mund të di lokacionin e asetit të publikuar?
Për secilin aset të publikuar është i vendosur edhe lokacioni i përafërt përmes Google hartës të cilin mund t’a gjeni duke u qasur në faqen elektronike të AKP-së dhe duke klikuar në përshkrimin e shkurtër për asetin e publikuar. Vendndodhjet e treguara nga PIN-at në Google Maps ofrohen vetëm për qëllime të orientimit dhe referencës së përgjithshme!

A mund të realizoj vizitë në terren për të parë asetet?
Po, AKP organizon vizita në terren për secilin aset të tenderuar. Për të realizuar vizitën, kontaktoni zyrën e marketingut përmes email adresës: marketing@pak-ks.org. 

A duhet paguar për vizitën në terren?
Jo, vizitat organizohen falas nga AKP për të ndihmuar blerësit potencial.

Çfarë ndodh nëse nuk i përmbush obligimet e mia si fitues i një tenderi?
Nëse një ofertues fitues nuk përmbush obligimet e tij sipas rregullave të tenderit, ai mund të humbas të drejtën për të përfunduar blerjen dhe mund të penalizohet sipas kushteve të përcaktuara në rregullat e tenderit.

Çka nënkupton çmimi minimal orientues?
Çmimi minimal orientues është çmimi minimal i vlerësuar nga AKP për shitjen e një aseti.

Kur publikohet çmimi orientues?    
Çmimi orientues publikohet në shpalljen publike të shitjes, dokumentet përkatëse të tenderit dhe në ueb faqen e AKP-së.

Si prezantohet çmimi orientues për objekte dhe toka?
Për objekte, çmimi orientues shprehet në €/m², ndërsa për toka, çmimi shprehet në €/ari.

Si bëhet përcaktimi i çmimit minimal të asetit?    

Çmimi minimal përcaktohet në dy mënyra:
a) Nga vlera e pronave të përcaktuara nga Ministria e Financave përmes departamentit të Tatimit në Pronë;
b) Nga mesatarja e shitjeve të AKP-së gjatë 3 viteve të fundit."

Si përcaktohet kategoria e asetit?
Kategoria përcaktohet duke u bazuar në:
•    Shfrytëzimin aktual të pronës
•    Shfrytëzimin e mundshëm në të ardhmen"

Cilat janë kategoritë e aseteve?
Asetet ndahen në:
🏡 Rezidenciale
🏢 Komerciale
🏭 Industriale
🌾 Bujqësore"

Çfarë nënkupton asistencë nga stafi i AKP-së?
Ju mund t’i drejtoheni stafit përgjegjës të AKP-së për informata shtesë lidhur me asetet e tenderuara, procesin e ofertimit apo edhe asistencë mbi përgatitjen e ofertës.  

Si duhet të përgatitet një ofertë?
Ju mund të informoheni për përgatitjen e ofertës duke:
•    Kontaktuar zyrën e marketingut të AKP-së
•    Shkarkuar udhëzuesin për ofertat nga ueb faqja e AKP-së
•    Shikuar videon udhëzuese të publikuar në çdo shpallje të shitjes së aseteve"

A mund të dorëzoj ofertën dikush tjetër për mua?
Po, ofertën tuaj mund të dorëzoj ndonjë mik apo përfaqësues tjetër për ju. Ata do të pranojnë një fletëpranim për dorëzimin. 

Si bëhet pagesa e depozitës dhe tarifës për dorëzim të ofertës?    
Pagesa e depozitës dhe tarifës për dorëzim të ofertës bëhet përmes transferit bankar në llogaritë përkatëse bankare të AKP-së. 
Dëshmitë e këtyre transfereve DUHET të jenë pjesë e ofertës së dorëzuar, në të kundërtën oferta juaj do të jetë jo-valide!"

Nëse nuk jam fitues, brenda sa ditëve do të pranoj depozitën e ofertës?    
Agjencia do të bëjë përpjeke që tua kthej depozitën e ofertës brenda 10 (dhjetë) ditë pune pas përfundimit të periudhës për dorëzimin e ofertës. 
 
Nëse nuk jam brenda Kosovës, a mund të bëj transfer ndërkombëtar për pagesë të depozitës dhe tarifës për dorëzim të ofertës?
Po! Udhëzimet për transfere ndërkombëtare i gjeni në ueb faqe të AKP-së, tek shpalljet e shitjeve të aseteve, si dhe mund t'i kërkoni përmes email adresës marketing@pak-ks.org

A mund të dorëzoj ofertën time përmes postës?
Jo. Ju duhet dorëzuar fizikisht zarfet e ofertës. 

Cili është afati për të përfunduar pagesën për blerjen e asetit të ofertuar?    
Pas aprovimit të çmimit të shitjes nga bordi i drejtorëve, Agjencia do të ftoj ofertuesin me ofertën më të lartë që të kryejë pagesën sipas kushteve të mëposhtme:
•  Për oferta deri në 499,999 €, pagesa duhet të bëhet brenda 45 ditëve pune nga data e njoftimit
•  Për oferta prej 500,000 €  deri në 999,999 €, pagesa duhet të bëhet brenda 45 ditëve pune nga data e njoftimit
•  Për oferta prej 1,000,000 € ose më shumë, pagesa duhet të bëhet brenda 60 ditëve pune nga data e njoftimit"

Cili është afati kohor për realizimin e nënshkrimit të kontratës së shitjes?
Agjencia dhe ofertuesi fitues i përkohshëm do të bëjnë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të nënshkruar kontratën e shitjes brenda afatit 20 ditë pune, nga data e pagesës së plotë të çmimit të shitjes.
 

A ofron AKP asete për qiradhënie?
Po, AKP shpall qiradhënien e objekteve dhe tokave në rajone të ndryshme të Kosovës.

Si mund të aplikoj për qiradhënie?
Ju mund të aplikoni për qiradhënie duke ndjekur shpalljet në ueb faqen e AKP-së dhe duke dorëzuar aplikacionin në afatin e përcaktuar.

A ofron AKP mundësinë e shitjes direkte të aseteve?
Po, AKP mund të zhvillojë shitje direkte të aseteve në raste të veçanta, kur një aset nuk është shitur përmes procesit të rregullt të tenderimit ose kur ka arsye të forta që e justifikojnë këtë qasje në përputhje me rregulloren për shitjen e aseteve me karakter specifik.

Në cilat raste zhvillohen shitjet direkte?
Shitjet direkte mund të zhvillohen vetëm në rastet si në vijim:
•             Aseti ka karakter specifik sipas gjendjes faktike dhe ligjore të përcaktuar në rregulloren përkatëse
•             Ngastrat kadastrale në të cilat ekzistojnë ndërtime me lejen e NSH-së ose AKP-së me çrast zhvendosja e objekteve është e pamundshme 
•             Ngastrat kadastrale në të cilat ekzistojnë ndërtime pa lejen e NSH-së ose miratimin e AKP-së me çrast rikthimi i gjendjes së mëparshme është i pamundur ose sjell dëme ekonomike për vlerën e asetit.  Ndërtimet që nuk janë të dukshme në aero-inçizimin e fundit të viti 2018 nuk do të përfshihen në proces të shitjes direkte
•              Ngastrat kadastrale ose pjesa e caktuar e ngastrës e cila sipas gjendjes faktike është pjesë integrale e kompleksit të pronësisë private apo nuk ka dalje në rrugë
•              Kur mbi një aset ekziston bashkëpronësia në mes NSH dhe parashtruesit me çrast secilit prej bashkëpronareve iu takon e drejta e parablerjes  
•              Kur shitja e asetit të ndërmarrjes ka dështuar për mungesë të ofertave për një numër të tenderimeve siç parashihen në dispozitat e procedurave të shitjes 
•              Kur procedura për shitje direkte është iniciuar nga ndonjë subjekt juridik ose fizik lidhur me ndonjë Nsh, pasuri ose pjesë të pasurisë së saj e cila gjendet jashtë territorit të Kosovës kurse pasuritë e saj nuk mund ti nënshtrohen procesit të transformimit "

Si mund të aplikoj për shitje direkte?    
Personat e interesuar duhet të paraqesin një kërkesë zyrtare pranë AKP-së, duke specifikuar interesin e tyre për një aset të caktuar dhe duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

A është procesi i shitjeve direkte transparente?    
Po, AKP zbaton parimet e transparencës dhe konkurrencës në të gjitha procedurat e shitjes, përfshirë edhe shitjet direkte. Çdo vendim merret në përputhje me rregullat dhe procedurat përkatëse.

Çfarë dokumentacioni duhet për të marrë pjesë në shitje direkte?    
Dokumentacioni i kërkuar përcaktohet në rregulloren e AKP-së të miratuar nga Bordi i Drejtorëve. 

Si përcaktohet çmimi në negociatat e drejtpërdrejta?    
Vlera e asetit identifikohet përmes platformës elektronike të Ministrisë së Financave për tatimin në pronë të publikuar në shtegun: https://tatimineprone-rks.org/emaps/valuezone/sq. Vlera e identifikuar përfshin klasifikimin e pronës, kategorinë e vlerës për pronë dhe nivelin e vlerës për m2 në një zone të caktuar vlere (zonë gjeografike). 
 
A ka ndonjë kufizim për palët që mund të marrin pjesë në negociatat e drejtpërdrejta?    
Po, ekzistojnë kufizime të përcaktuara në rregulloren e AKP-së të miratuar nga Bordi i Drejtorëve. 

 

Çka është procesi i likuidimit?    
Likuidimi do të thotë procesi ligjor që përfshin shitjen e aseteve të një Ndërmarrje, shpërndarjen e të hyrave në pajtim me nenin 40 të Shtojcës së ligjit 04/L-034 dhe ndërprerjen e ekzistimit të Ndërmarrjes në pajtim me dispozitat e kësaj Shtojce;

Si njoftohen palët për fillimin e procedurës së likuidimit?    
Sipas nenit 7 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së nr. 04/L-034 dhe Udhëzimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK), AKP publikon njoftimin për fillimin e likuidimit në portale, RTK1, RTK2 dhe në faqen zyrtare të saj. Ky njoftim përfshin afatin për dorëzimin e kërkesave dhe informacione shtesë mbi mënyrën e aplikimit.

Si mund të paraqes një kërkesë si kreditor ose pronar i interesuar?    
Çdo person fizik apo juridik që pretendon të ketë të drejtë kërkese ose interesi ndaj një NSH-je në likuidim duhet të dorëzojë Dëshminë e Kërkesës dhe/ose Dëshminë e Interesit brenda afatit të përcaktuar në njoftimin përkatës të AKP-së. Formularët dhe udhëzimet për dorëzim janë të disponueshme në faqen zyrtare të AKP-së.​

Çka është Dëshmia e Kërkesës dhe kush ka të drejtë ta dorëzojë?    
Dëshmia e Kërkesës është dokumenti përmes të cilit një kreditor pretendon se NSH-ja i ka borxh. Çdo person apo entitet që pretendon të ketë një kërkesë ndaj ndërmarrjes në likuidim ka të drejtë ta dorëzojë këtë dëshmi brenda afatit të caktuar nga AKP-ja.

Cilat dokumente duhet të përfshihen në Dëshminë e Kërkesës?    
Dokumentet të cilat duhet të përfshihen janë: kontrata, fatura, vendime gjyqësore ose çdo provë tjetër që vërteton kërkesën tuaj. Është e rëndësishme që dokumentacioni të jetë i plotë dhe i qartë për të lehtësuar shqyrtimin nga autoritetet përkatëse.​

Çka është Dëshmia e Interesit?    
Dëshmia e Interesit është dokumenti që dorëzohet nga personat që pretendojnë të jenë pronarë apo bashkëpronarë të aseteve të NSH-së, dhe që kërkojnë të përfshihen në shpërndarjen e mbetur të pasurisë pas përfundimit të likuidimit.

Çka ndodh pas dorëzimit të kërkesës?    
Pas dorëzimit të kërkesës, Autoriteti i Likuidimit shqyrton kërkesën dhe merr një vendim për aprovimin ose refuzimin e saj dhe i dërgohet pretenduesit.

A mund të ankoheni kundër vendimit te Autoritetit të Likuidimit?    
Po, nëse nuk jeni të kënaqur me vendimin, mund të paraqitni ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) brenda 30 ditëve nga data e pranimit të vendimit, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-086 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Çka ndodh nëse fondet e NSH-së në likuidim nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat e aprovuara?    
Nëse fondet e disponueshme të një NSH-je nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat e aprovuara, shpërndarja e fondeve bëhet sipas prioriteteve të përcaktuara në Shtojcën e Ligjit të AKP-së nr. 04/L-034.

A do të marr pagesë nëse kërkesa ime është e aprovuar, por fondet nuk janë të mjaftueshme?    
Nëse kërkesa juaj është e aprovuar, por fondet nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat e aprovuara, ju mund të merrni një pagesë të pjesshme sipas prioriteteve të përcaktuara në Shtojcën e Ligjit të AKP-së nr. 04/L-034 dhe disponueshmërisë së fondeve. Në disa raste, mund të mos ketë pagesë fare nëse fondet janë të pamjaftueshme për të mbuluar kërkesat me përparësi më të lartë apo NSH-ja nuk ka asete për t’u shitur.​

A mund të paraqes ankesë nëse nuk jam i kënaqur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit dhe/ose pagesën e pjesshme që kam pranuar?    
Po, nëse nuk jeni të kënaqur me Vendimin e Autoritetit të Likuidimit apo me pagesën e pjesshme që e keni pranuar lidhur me kërkesën tuaj, keni të drejtë të paraqitni ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) brenda afatit të përcaktuar ligjërisht.

Çfarë nënkuptohet me përmbylljen e një Ndërmarrjeje Shoqërore (NSH)?    
Përmbyllja e një NSH-je është faza e fundit e procesit të likuidimit, kur ndërmarrja konsiderohet e mbyllur ligjërisht dhe më nuk ekziston si subjekt juridik. Ky proces ndodh pas shlyerjes së detyrimeve, përfundimit të procedurave të shpërndarjes së aseteve dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura.

Kush vendos për përmbylljen e një NSH-je?    
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) njoftohet me raportin përfundimtar të NSh-së respektive, ndërsa miratimi i raportit përfundimtar bëhet me Aktvendim nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK).

A mund të rihapet një NSH pasi të përmbyllet?    
Jo. Pas miratimit të përmbylljes nga AKP-ja dhe publikimit zyrtar të saj, NSH-ja nuk mund të rihapet apo të funksionojë më si subjekt juridik.

Si njoftohen palët për përmbylljen e një NSH-je?    
AKP publikon njoftimin për përmbyllje në faqen e saj zyrtare dhe i dërgohet njoftimi institucioneve relevante. Ky njoftim përmban informacione mbi statusin përfundimtar të NSH-së dhe konfirmon mbylljen ligjore të saj.