MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 24.04.2025
Prishtinë   
24/04/2025
Bordi i Drejtorëve azhurnoi listën e aseteve për shitje me tender publik. Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) me 15 prill ka mbajtur mbledhjen e rregullt, në të cilën janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit, transformimit të pronës dhe forcimin e qeverisjes institucionale.
Në këtë mbledhje Bordi u informua se pas një iniciative të menaxhmentit për të hulumtuar asetet potencialisht të pa regjistruara në evidencën e AKP-së është gjetur se ekzistojnë edhe 460 asete (ngastra kadastrale) dhe 33 subjekte të reja të cilat AKP nuk i kishte evidentuar më parë. Sipërfaqja e këtyre aseteve është prej 535 Ha.
Nga këto 460 asete, 74 prej tyre ishin në rajonin e Prishtinës dhe janë pjesë e 31 subjekteve të reja, kurse 5 asete janë pjesë e 2 subjekteve tjera në rajonin e Mitrovicës. Pjesa tjetër e aseteve/ngastrave janë pjesë e subjekteve tjera që ishin nën administrimin e AKP-së.
Bordi gjithashtu shqyrtoi dhe miratoi raportin mujor të punës për muajin mars 2024, si dhe mori vendime konkrete lidhur shitjen me tender publik dhe vendime lidhur me procedurat e shitjes direkte të aseteve. Lista e aseteve për Shitje publike SHAL 72 e aprovuar në muajin mars u azhurnua me disa asete shtesë ku nga 43 sa ishin janë shtuar 36 sosh dhe tani SHAL 72 do të publikohet me 79 asete.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi shqyrtoi një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve të paraqitura për shitje direke, me ç’rast 31 raste u aprovuan për fillimin e shitjes direkte, ndërsa 25 kërkesa të tjera u refuzuan. Po ashtu, u miratuan 9 raste me çmim përfundimtar të shitjes. Bordi gjithashtu shqyrtoi klasifikimin dhe kategorizimin e 3 aseteve në përputhje me vendimet paraprake.