AKP publikoi listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore
Prishtinë   
24/11/2025
Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e ngritjes së transparencës dhe efikasitetit, publikoi në web faqen e saj, listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, e cila listë është përgatitur nga Divizioni i Shitjeve Direkte në kuadër të AKP-së.
Lista e lëndëve të pashqyrtuara përfshin 1,116 kërkesa, të evidentuara sipas renditjes kohore të dorëzimit dhe që mbulojnë periudhën nga viti 2015 deri më sot. Këto lëndë presin shqyrtim për shkak të rrethanave të ndryshme ligjore e teknike, si vendosja e masave të përkohshme nga gjykatat, çështjet kadastrale, mospërputhjet ndërmjet gjendjes grafike dhe asaj tekstuale, si dhe raste ku asetet janë bërë objekt i vendimeve të Qeverisë për shpronësim. Në listë përfshihen edhe kërkesa të tjera që kërkojnë verifikim të detajuar para se të merret një vendim përfundimtar.
AKP dëshiron që përmes këtij njoftimi të ri-theksoj përkushtimin për ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies para palëve që presin trajtim të kërkesave të tyre dhe para opinionit publik për gjithë procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, që është i një rëndësie të veçantë për administrimin e mirë të aseteve në pronësi shoqërore dhe rritjen e vlerës së tyre.
Lista e publikuar e kërkesave të pashqyrtuara do të azhurnohet periodikisht, ndërkaq ftohen palët e interesit që në rast të vërejtjeve në saktësinë e shënimeve të publikuara, të dërgojnë me shkrim vërejtjet e tyre në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, fizikisht apo përmes emailit zyrtar info@pak-ks.org
Listën e kërkesave për blerje direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore mund ta gjeni të publikuar në web faqen e AKP-së, në linkun: https://www.pak-ks.org/Page.aspx?id=1,21