MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-SË MBAJTUR ME 30 QERSHOR 2025
Prishtinë   
03/07/2025
Bordi i AKP-së thjeshtëson procedurat e shitjes me tender publik.
Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka mbajtur mbledhjen e rregullt me datë 30 qershor 2025, ku janë diskutuar dhe miratuar një sërë çështjesh me rëndësi për vazhdimin e proceseve të privatizimit dhe forcimin e qeverisjes institucionale. Fillimisht, Bordi miratoi ndryshimet në Procedurat e Shitjes me Tender Publik dhe shtojcën përkatëse – Metodologjinë për përcaktimin e çmimit orientues. Ndryshimet kryesore përfshijnë: trajtimin e aseteve me mospërputhje ndërmjet të dhënave tekstuale, grafike dhe gjendjes faktike në terren; aseteve që pas pesë raundesh tenderimi, nuk kanë gjeneruar oferta ose kur ofertat janë nën çmimin minimal; si dhe konsolidimin e dokumentacionit të shitjes. Këto përmirësime synojnë thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe efikasitetit, si dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore dhe praktikat më të mira institucionale.
Në këtë mbledhje, Bordi ka aprovuar kërkesën e Komunës së Kamenicës për largim të dy aseteve nga vala SHAL 74 për shkak të interesit publik, ato njësi janë Njësia 14 - Agroprodukti Toka në Hodonovc (Lot A) dhe Njësia nr. 28 - Zhivko Vasič Toka në Petroc (Lot D). Bordi ka aprovuar raportin e Komisionit të banesave të ndërmarrjeve shoqërore, ku 1 raport është aprovuar, 2 refuzuar, dhe 1 rast është shtyrë për sqarime shtesë.
Më pas, Bordi shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për plotësim-ndryshim të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet KGJK-së dhe Agjencisë, që parasheh shtimin e numrit të zyrtarëve ligjorë të mbështetur nga AKP në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, nga njëzet (20) në njëzet e pesë (25). Këta zyrtarë do të angazhohen në çështjet ligjore dhe administrative që lidhen me procesin e likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe përshpejtimit të trajtimit të lëndëve aktive në Dhomën e Posaçme.
Bordi sipas mandatit të tij morri vendim për fillim të likuidimit të ndërmarrjeve MIT052 Njësia Punuese “Bar Bilje”, aseti në Kopaonik dhe PRN038 Kooperativa Zejtare Banesore “Bashkimi” – Prishtinë. Për dy ndërmarrje tjera si GJI142 KB “Novobërda” - Novobërdë dhe GJI015 KB “Cërnica”, Cërnicë – Gjilan u njoftua me Raportet Përfundimtar të procesit të likuidimit që në procedurë të rregullt do të dërgohen në DhPGjS ku dhe do të shqyrtohen për përmbylljen e ndërmarrjeve.
Bordi ka aprovuar dy kërkesa të Autoritetit të Likuidimit për heqje dorë nga asetet për shkak të interesit publik, si në vijim: 1) Kërkesa për heqje dorë 5314-3 dhe 5314-4 ZK Gjakove jashtë-qytet, asete të NSh “Ereniku-Prodhimtaria Primare” - në këtë parcelë janë varrezat e martirëve në Çabrat; dhe 2) Kërkesë për heqje dorë nga parcela 01200-0 ZK Decan, pronë e NT Agimi, Gjakovë në këtë parcelë gjendet lapidari i dëshmorëve të kombit në qendër të qytetit.
Në përmbyllje, Bordi trajtoi një numër të caktuar rasteve të qiradhënies direkte për asetet e NSh-ve, lidhur me kërkesat e parashtruara nga personat fizik , bizneset dhe institucionet të cilat kanë shprehur interes juridik për marrje me qira të asetet shoqërore, si dhe trajtoi kërkesat e palëve për transferimin e së drejtës së qiramarrjes tek personat tjerë në pajtim me ligjin në fuqi.