AKP shpall shitjen e 101 aseteve në gjithë Kosovën përmes SHAL 73

Prishtinë    05/06/2025

Agjencia Kosovare e Privatizimit shpall SHAL 73 të shitjes së aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim, e miratuar nga Bordi i Drejtorëve më 16 maj 2025. Ky është hap i rëndësishëm drejt vënies në funksion të pasurive të paluajtshme të cilat kanë qëndruar për një kohë të gjatë jashtë përdorimit, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim ekonomik lokal dhe investime afatgjata.

 

Kjo valë përfshin 101 asete në të gjithë territorin e Kosovës, të ndara sipas kategorive dhe potencialit zhvillimor. Shitja përfshin: 43 njësi bujqësore, shumë prej tyre me tokë të cilësisë së lartë për bujqësi intensive dhe pemëtari; 49 njësi rezidenciale, ideale për zhvillim të banimit urban e rural; 7 asete me funksione të ndryshme komerciale, të përshtatshme për investime afariste; 1 depo, me potencial për shfrytëzim logjistik apo magazinues dhe 1 lokal afarist në Prishtinë, që përfaqëson një mundësi të rrallë në zemër të kryeqytetit.

Asetet janë të shpërndara në 6 rajonet e Kosovës: Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj, me sipërfaqe që variojnë nga njësi të vogla për investitorë individualë, deri në prona të mëdha që mund të transformohen në qendra zhvillimi rural, agrobiznesi apo projekte banimi.

AKP fton të gjithë të interesuarit, individë, biznese, diasporë dhe investitorë të huaj, që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për të blerë pasuri të paluajtshme përmes një procesi transparent dhe të mbikëqyrur.

Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.73 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 25.06.2025, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilën njësi. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.

Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë, apo përmes email adresës info@pak-ks.org.