AKP SHPALL REZULTATET E SHITJES SË ASETEVE PËRMES LIKUIDIMIT nr. 64
Prishtinë   
30/11/2023
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve nr. 64 përmes metodës së Likuidimit, shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Ofertat u pranuan në “Sallën e konferencave - Hoteli Grand”, në Prishtinë nga ora 10:00 deri në ora 12:00, ku më pas u mbajt edhe ceremonia e hapjes së ofertave dhe publikimi i rezultateve nga ora 12:30.
Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.
Për 31 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 59 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 2.212.467 €uro.
Muharrem Arifi, u.d. Zëvendës Drejtor Ekzekutiv - Operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në fjalën e tij hyrëse njoftoi të pranishmit se deri më tani janë privatizuar 2,913 asete të ndryshme përmes shitjeve të aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore në administrim te Agjencisë. Z. Arifi tha se në Fondet e Mirëbesimit janë grumbulluar gjithsej 784,114.302 €uro. “Ndërsa, shuma e fondeve e aprovuar nga Bordi i Agjencisë për shpërndarje tek kreditorët e ligjshëm deri më 31 tetor 2023 është 62,684,180 €uro për 303 Ndërmarrje Shoqërore, ndërsa pagesat ndaj kreditorëve të NSh-ve deri më 6 tetor 2023 janë bërë në shumën 61,389,539 €uro”, theksoi në vazhdim z.Arifi.
Për sa i përket shpërndarjes së 20 %, ai tha se Agjencia po vazhdon me miratimin e listave të punëtorëve dhe shpërndarjen e shumës së 20% të të hyrave nga shitjet e aseteve për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore dhe deri më tani janë shpërndajmë 163,379.229 €uro, kurse numri i përgjithshëm i përfituesve të 20% është 52,100 ish punëtorë.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.
Rezultatet e ofertave mund të gjinden në linkun: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,106