MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-SË MBAJTUR ME 26 MAJ 2026

Prishtinë    29/05/2026

Bordi i Drejtorëve të AKP-së mbajti mbledhjen e rregullt më 26 maj 2026. Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e rregullt, në të cilën u shqyrtuan dhe miratuan një sërë vendimesh me rëndësi për vazhdimin dhe forcimin e qeverisjes institucionale brenda Agjencisë.

 

Në këtë mbledhje, Bordi u informua për nënshkrimin e Marrëveshjes së pranim-dorëzimit ndërmjet AKP-së dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural/Agjencisë së Pyjeve, lidhur me transferimin e Ekonomive Pyjore dhe Ekonomive të Gjuetisë. Kjo marrëveshje ishte aprovuar paraprakisht nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së me Vendimin BD-191-6, të datës 30 nëntor 2023.

Bordi gjithashtu miratoi Raportin Vjetor të Agjencisë për vitin 2025.

Duke pasur parasysh se Bordi i Drejtorëve nuk ka qenë funksional nga gushti 2025 deri në fund të muajit prill 2026, me funksionalizimin e Bordit të ri janë krijuar kushtet për vazhdimin e plotë të aktiviteteve që hyjnë në mandatin ligjor të AKP-së. Në këtë drejtim, Bordi miratoi planet e reja për shitjet me tender publik dhe shitjet direkte për pjesën e mbetur të vitit 2026.

Në kuadër të përmirësimit të menaxhimit të ndërmarrjes NSh “Inex Sharr Planina Brezovicë”, Bordi miratoi strukturën e re organizative për Qendrën e Skijimit Brezovica, Planin investiv për sezonin dimëror 2026/2027, si dhe autorizoi inicimin e procedurave për shpalljen e hapësirave të reja me qira dhe rivlerësimin e qiradhënieve aktuale në kuadër të ndërmarrjes.

Në fushën e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, Bordi miratoi shpërndarjen e mjeteve për kreditorët e NSh PRZ014 “IGK Ballkan”, në shumën prej 1,164,721.79 euro për 1,348 kreditorë. Po ashtu, Bordi miratoi shpërndarjen e mjeteve për kreditorët e NSh PRN046 “Fan Zahir Pajaziti”, në shumën prej 88,801.06 euro për 56 kreditorë.

Agjencia Kosovare e Privatizimit mbetet e përkushtuar që, në përputhje me mandatin e saj ligjor, të avancojë proceset e privatizimit, likuidimit dhe administrimit të aseteve shoqërore në mënyrë transparente, profesionale dhe në funksion të mbrojtjes së interesit publik.