MBLEDHJA E BORDIT TË DREJTORËVE TË AKP-së 30.05.2023

Prishtinë    31/05/2023

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës ku diskutoi dhe mori vendime të rëndësishme për procesin e privatizimit dhe të likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore në përputhje me mandatin e vet ligjor.

 

Bordi i Drejtorëve shqyrtoi Raportin për monitorimin e Planit për adresimin e rekomandimeve të Njësisë së Auditimit të Brendshëm për periudhën 2017-2021, si dhe shqyrtoi Planin për adresimin e rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm për 4 auditime që kanë mbuluar periudhën janar 2021-tetor 2022. Gjithashtu, Bordi shqyrtoi edhe Raportet për Monitorimin e Planeve për adresimin e rekomandimeve të ZKA-së gjatë auditimit të AKP-së dhe Fondeve në Mirëbesim për vitin 2021 .

Gjatë kësaj mbledhje, Bordi i Drejtorëve u informua në lidhje me procesin e deritashëm të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes shoqërore “Brezovica”, me ç‘rast komisioni përkatës njoftoi se në fazën e intervistimit do të përfshihen 23 kandidatë nga 44 kandidatë sa kanë aplikuar në konkurs.

Veç kësaj, Bordi dha pëlqimin për bartjen e pronësisë së NSH Jugopetrol në emër të Këshillit Gjyqësor për ndërtimin e Objektit të ri të Gjykatës themelore në Pejë, në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës, për shpronësim me numër 20/67 të datës 09 mars 2022, si dhe dha pëlqimit për bartjen e pronësisë së NSH Kooperativa Bujqësore Përparimi (PRN019), në Podujevë në emër të Komunës së Podujevës, në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për shpronësim me numër 10/132 të datës 08 mars 2023. Bordi poashtu dha pëlqimin sipas kërkesës së Komunës së Ferizajt për dhënien e pëlqimit për kryerjen e punimeve, rregullimin e segmenteve rrugore (bypass-ve) të përkohshëm të cilat kalojnë përmes disa parcelave në Ferizaj të NSh Plantacioni i Pemëve.

Gjatë takimit Bordi shqyrtoi propozimin e Autoritetit të Likuidimit dhe të Menaxhmentit për disa qiradhënie dhe ato me tender publik. Bordi poashtu miratoi 3 raporte fillestare për inicim të procedurës për shitje me negocim direkt për ekonomi familjare, të cilat do t’i nënshtrohet procedurave të tjera të parapara me legjislacion për t’u finalizuar shitja sipas raportit përfundimtar, i cili do t’i paraqitet Bordit për aprovim.

Gjithashtu, Bordi, me propozim të Autoriteti të Likuidimit, aprovoi raportet e shpërndarjeve për kreditorët për NSh-të si në vijim: GJI035 NSh “Agromorava” Viti; dhe PEJ045 NSh "KB Drelaj".​ Bordi poashtu u njoftua se Raport Përfundimtar i mbylljes së Procesit të Likuidimit së GJI082 NSh "Grafikos" do të dërgohet në Dhomë të Posaçme për mbyllje.